F1, Hamilton në krizë, mbrojtja e titullit tani “mirazh”

18/04/2016 00:00

Lewis Hamilton do të zhvillojë këtë javë bisedime me drejtuesit kryesor të Mercedes në përpjekje për të shpëtuar sezonin që ka nisur si mos më keq për kampionin në fuqi të botës në Formula 1.

Piloti britanik, grinta e të cilit ka prevaluar ndaj shokut të skuadrës Nico Rosberg në vitet e fundit, tani gjendet në vështirës dhe ka humbur terren në renditje ndaj gjermanit.

Problemet e besueshmërisë në dy garat e fundit, por gjithashtu starti i dobët në pistën e Melbërnit, do të jenë fokusi në takimin me kokat e skuadrës së Mercedes. Niko Rosberg ka fituar 3 garat e para sezonale të Formula 1 dhe ka krijuar një distancë prej 36 pikësh me Hamilton, diçka të cilën piloti me ngjyrë nuk e kishte parashikuar në skenarin më të keq.

Toto Wolff dhe Paddy Lowe vendosin thuajse gjithçka në bokset e Mercedes, dhe pikërisht ndaj tyre në zyrat qendrore në Brekli, piloti britanik do të ushtrojë presion për përgjigje.

Ka një shkallë të konsiderueshme fati të keq për Hamilton, por ky i fundit është ankuar se makina është përshtatur më shumë me stilin e drejtimit të Rosberg.

Drejtuesit sipas mediave do të sigurojnë 3 herë kampionin e botës se titulli është plotësisht i arritshëm, pasi duhen ende 18 gara për t’u zhvilluar deri në finishin e sezonit spektakolar të Formula 1. Ndalesa e radhës e kampionatit do të jetë në 1 maj në Rusi, ndërsa gara e fundit në 27 nëntor në Abu Dabi.

Top Channel