Ekstremizmi i dhunshëm, ministrja italiane e Mbrojtjes në Kosovë

18/04/2016 16:15

Ministrja italiane e Mbrojtjes, Roberta Pinotti vizitoi këtë të hënë Prishtinën, ku u takua me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Isa Mustafa. Takimet e veçanta kanë pasur temë temë kryesore ekstremizmin dhe terrorizmin.

Pas takimeve as Pinotti dhe as zyrtarët e lartë kosovarë nuk dhanë deklarata për mediat, por përmes komunikatave për shtyp është bërë e ditur se ministrja italiane e Mbrojtjes është interesuar për mekanizmat e sigurisë që ka ndërtuar Kosova dhe për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në takimin me presidentin Thaçi, zonja Pinotti vlerësoi rolin që luan Italia në Kosovë dhe u shpreh në favor të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe të luftimit të ekstremizmit e terrorizmit.

Nga ana e tij, Thaçi tha se Kosova është kthyer në faktor stabiliteti në rajon dhe është lidere në luftimin e ekstremizmit dhe të terrorizmit, duke nënvizuar se, në gjashtë muajt e fundit nuk është regjistruar asnjë kosovar i ri që u është bashkuar grupeve terroriste në Siri dhe Irak.

Në këtë takim, sipas njoftimit për media, presidenti Thaçi kërkoi që të përkrahet anëtarësimi i Kosovës në institucionet e sigurisë, siç është Interpoli, që komunikimi dhe bashkëpunimi të jetë më i shpejtë dhe më efikas.

Edhe në takim me kryeministrin Isa Mustafa ministrja italiane e Mbrojtjes diskutoi për kapacitetet e sigurisë, ndërsa i dha mbështetje punës së Forcës së Sigurisë së Kosovës për përgatitjet për transformim në Forca të Armatosura.

Top Channel