Piano e Tefta Tashko Koços do të kthehet në normalitet pas një viti

15/04/2016 16:20

Një pjesë perëndimi për Shqipërinë e fillimshekullit të XX ishte jo vetëm e lakmueshme, por edhe e rrallë. Piano e sopranos Tefta Tashko Koço prej disa ditësh qëndron në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, si relike e asaj kohe.

Jashtë përdorimit, e mbushur me letra dhe bishta cigaresh, nga kjo piano tingujt duken të largët si koha.

Melsi Labi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, thotë: “Të gjithë institucionet, si Muzeu Historik Kombëtar, Akademia e Shkencave dhe Ministria e Arsimit kanë lëvizur letrat burokratike në këtë drejtim për të ardhur në përfundimin që pianoja e Tefta Tashko Koços të kalojë nga ambientet jo të përshtatshme të Liceut Artistik në Muzeun Historik Kombëtar.

Një objekt muzeal për të rrëfyer historinë e zhvillimit kulturor të Shqipërisë së asaj kohe. Një ndër të rrallat dhe të paktat piano, por që aktualisht trashëgimia që pasqyron është një skelet prej druri me emra rtë çfarëdollojshëm gdhendur në të.

“Këtu është për një dizinfektim paraprak dhe për një konservim. Më pas, do të kalojë në një ambient tjetër, ku do t’i nënshtrohet një restaurimi të plotë, për të qenë jo vetëm objekt muzeal, por edhe funksional’, sqaron Labi.

Kjo piano është përdorur deri në fillim të viteve ‘90. Ajo ka kaluar në lice në vitin 1953. Dhe pas kësaj kohe, sopranoja nuk e ka përdorur më.

Top Channel