Abuzime me paratë e fondacionit, Drogba shmang akuzat

14/04/2016 00:00

Abuzime me paratë e fondacionit që presupozohej se do të ngrinte një rrjet spitalesh dhe qendrash shëndetësore në Afrikë, por që vetëm një pjesë e vogël e fondeve kanë shkuar në destinacion.

Me këtë akuzë të rëndë është njollosur organizata jo fitimprurëse e drejtuar nga futbollisti i njohur Didier Drogba i cili po përflitet se mori shumë donacione për nismat ndaj shtresave të varfëra, por me të cilat është abuzuar.
 
Me dhjetëra personalitete të njohur të artit dhe futbollit, duke përfshirë këngëtarin Bono, mesfushorin Lampard apo Princeshën Beatris, u bënë pjesë e mbrëmjeve gala që sollën me dhjetëra mijë paund donacione.

Yjeve iu tha se paratë do të shkonin fillimisht për një spital dhe shkollë në Bregun e Fildishtë. Por të dhënat tregojnë se më pak se 1% e shumës është shpenzuar për këto.

Thuajse 2 milionë euro u mblodhën nga fondacioni bamirës i ish-sulmuesit të Chelseat, i cili u distancua nga akuzat dhe përmes një deklarate për shtyp, tha se ka nisur procedurat ligjore për shpifje.

Kjo nuk është hera e parë që nisma të tilla pozitive bëhen pjesë e skandaleve të mëdha. Më parë argjentinasi Lionel Mesi dhe babai i tij, janë akuzuar se pastronin para për organizata kriminale, përmes ndeshjeve miqësore të organizuara në Amerikën e Jugut.

Top Channel