Maqedoni, Janeva: Do të vazhdojmë të hetojmë politikanët e inkriminuar

14/04/2016 00:00

Pavarësisht vendimit të Presidentit maqedonas, George Ivanov, për t’i falur të gjithë funksionarët që hetohen nga Prokuroria Speciale, ky institucion do të vazhdojë të hetojë politikanët, për të cilët dyshon se kanë kryer vepra penale.

Prokurorja speciale, Katica Janeva, tha se posedon dëshmi të shumta nga skandali i përgjimeve, që përfshijnë funksionarët shtetërorë në vepra kriminale.

“Presidenti do të ketë shumë punë, sepse ne do hapim edhe shumë procedura hetimore që kanë të bëjnë me të gjitha bisedat e përgjuara telefonike”, tha Katica Janeva, prokurore speciale në Maqedoni.

Më tej Janeva tha se, Prokuroria Speciale po kryen hetime intensive, që kanë të bëjnë me shpërdorimet financiare të funksionarëve shtetërorë. Ajo paralajmëroi se, të gjithë politikanëve që janë pasuruar në mënyrë joligjore do t’u konfiskohet pasuria, përfshirë edhe ata që janë falur nga presidenti.

“Nga të gjitha procedurat që kemi hapur deri tani, kemi informacione se në periudhën nga viti 2008-2015, nga buxheti i Maqedonisë janë shpërdoruar shuma të mëdha parash. Këto shuma, për momentin nuk mund t’i zbulojmë”, tha prokurorja speciale Katica Janeva.

Të enjten, Prokuroria Speciale ka publikuar detaje për një rast të ri, që ka të bëjë me transportin falas për nxënësit në Komunën e Manastirit. I dyshuari kryesor në këtë rast është kryetari i komunës, i cili dyshohet se brenda dy viteve, bashkë me drejtorët e shkollave në qytetin e Manastirit dhe pronarët e kompanive të transportit, kanë dëmtuar buxhetin e  shtetit me 360 mijë euro.

Përveç medieve, konferencën e Prokurorisë Speciale e kanë ndjekur edhe shumë ambasadorë të huaj të akredituar në Maqedoni.

Top Channel