Kujtesa përmes fotografisë

14/04/2016 00:00

Viktimat nuk mund të flasin, por përmes fakteve është i mundur dokumentimi i së shkuarës. Terrori dhe gjenocidi serb në Kosovë përgjatë luftës, është në thelb të ekspozitës së çelur në Muzeun Historik Kombëtar, që ka për qëllim mosharrimin dhe mospërsëritjen e historisë.

“Qëllimi ynë është që të luftojmë harresën dhe ta dokumentojmë me fakte atë që ka ndodhur në Kosovë. Kjo, sepse ne si popull, deri tani kemi dështuar ta dokumentojmë të kaluarën tonë. Të gjitha ato krime e masakra që kanë ndodhur, siç e keni parë, ose janë barazuar xhelati me viktimën, ose i kanë ndërruar rolet fare”, tha Fetnete Ramosaj, autore e ekspozitës.

Ky gjenocid vjen i ngjashëm me krizën e emigrantëve, nëpërmjet disa fotove, apo edhe përkujtesë e fatit të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Viktimat nuk janë thjesht statistika, ato fillojnë nga helmimet, masakrat, e deri te përdhunimet.

“Këto krime janë jashtëzakonisht të rënda, të tmerrshme dhe më të rëndat që janë kryer pas Luftës së Dytë Botërore. Të vrarët nuk mund të flasin më, por ne e kemi për detyrë që të flasim në emër të tyre”, tha Ismet Salihu, drejtor i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

Pas Prishtinës dhe Tiranës, kjo ekspozitë do të vijojë më pas turin në Europë. Sipas autorëve, pasqyrimi është informim dhe kujtesë, si forma e vetme e shpagimit dhe jo e hakmarrjes.

Top Channel