Tenis, Djokovic eliminohet në Montekarlo nga çeku anonim

14/04/2016 11:45

Novak Djokovic i shokon të gjithë në turneun Masters të Montekarlos. Numri 1 i renditjes botërore dhe kampioni në fuqi i këtij aktiviteti u eliminua që në raundin e dytë, gjë që nuk i ndodhte që nga viti 2013, në Mastersin e Madridit.

Ai që e shkaktoi këtë surprizë të madhe në Monako ishte Jiry Veseli, i cili arriti të mposhtë Djokovicin me rezultatin 2-1, për t’i shkaktuar atij disfatën e dytë për vitin 2016. Veseli e fitoi setin e parë 6-4, duke shfrytëzuar mjaft mirë lojën jo të mirë të Djokovicit. Tenisti serb u rikthye në setin e dytë, të cilin e fitoi 6-2, por në setin final ai gaboi sërish, duke i dhënë mundësi Veselit të fitojë këtë fraksion të lojës 6-4 dhe krejt ndeshjen 2-1. Në raundin e tretë Veseli do të përballet me Gaël Monfils, i cili mundi italianin Lorenzi.

Ndërkaq, Rafael Nadal, i cili e ka fituar turneun Masters të Montekarlos 8 herë radhazi në periudhën 2005-2012, u kualifikua me lehtësi në raundin e tretë, pasi mposhti britanikun Aljas Bedene 2-0. Nadal e kontrolloi takimin nga fillimi deri në fund, duke i fituar setet 6-3 dhe 6-3.

I dha lamtumirën këtij aktiviteti edhe Tomas Berdych. Tenisti çek u eliminua në raundin e dytë nga boshnjaku Damir Xhumur, i cili e fitoi takimin 2-1.

Top Channel