Numrat për Kongresin, ja skenarët për Kosovën në UEFA

11/04/2016 00:00

Po trumbetohet nga dita në ditë si Kongresi që do të zyrtarizojë njohjen e futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare, por deri atëherë në pritje të fakteve, drejtuesit e FFK-së po i lënë hapësirë skenarëve potencialë.

Zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës janë duke e pritur muajin maj, në gjysmën e parë të së cilit do të mbahen mbledhjet e UEFA-s dhe FIFA-s, në të cilat do të vendoset nëse Kosova do të bëhet anëtare e plotë e këtyre mekanizmave ndërkombëtarë të futbollit.

Në diskutimin kontinental, matematika i jep mundësinë shtetit shqipfolës që të kalojë në Komitetin Ekzekutiv me 28 vota, dhe nëse kjo ndodh, rruga për në FIFA do të thjeshtohet shumë.

Në shtator të vitit të kaluar, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, e cila u mbajtur në Maltë, është vendosur që aplikimi i Federatës së Futbollit të Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, të shkojë në shqyrtim dhe të votohet në Kongresin e ardhshëm që mbahet më 3 maj të këtij viti në Budapest.

Barriera ligjore, e cila nënkupton një nen të statutit të UEFA-s, i cili parasheh që vendi që aplikon për t’u anëtarësuar duhet të jetë anëtar i OKB-së, në rastin e Kosovës është anashkaluar.
 
“Në Budapest do të votohet dhe ne na duhet një shumicë e thjeshtë. Nga 54 vota na duhen 28 shtete ‘pro’. Shpresoj që ne do t’i bëjmë ato, sepse edhe në këtë drejtim kemi punuar mjaft ndër vite”, tha për Radion “Europa e Lirë”, kreu i FFK-së, Fadil Vokrri.

Por, cfarë ndodh më pas? FIFA mban konferencën e saj të radhës në Meksikë, me 12 dhe 13 maj të këtij viti, ku do të shqyrtohet edhe pranimi i Kosovës në këtë organizatë.

Top Channel