Inter vuan, por fiton me Frosinone

09/04/2016 17:15

Interi ka vuajtur, por në fund ka marrë 3 pikë të rëndësishme me Frosinonen, në ditën kur kapiteni zikaltër Mauri Icardi luante ndeshjen e 100. Një ndeshje manuale ndërkohë për debutuesit e Serisë A, që në fund e mbyllën takimin me 10 futbollistë.

Në takimin që ngriti siparin e javës së 32-të Serisë u vunë përballë Frosinone e vendit të parafundit dhe Interi që shpreson ende për një vend që mund ta çojë në Ligëne  Kampioneve sezonin e ardhshëm. 45 minutat e para ishin një dialog i heshtur i të dyja skuadrave, që nuk arritën të krijonin asnjë rast në portat respektive.

Pjesa e dytë ishte krejt ndryshe në Matusa, ku vendasit iu imponuan miqve zikaltër, madje duke goditur 2 herë shtyllën, me Paganinin dhe Pavlovic. Dhe në kulmin e lojës së Frosinones, Interi arrin të kalojë në avantazh. Një krosim i nisur nga e majta në minutën e 73-të u shfrytëzua më së miri nga Mauro Icardi me kokë, duke sigluar golin e 50-të me fanelën zikaltër, në ndeshjen e tij të 100 më skuadrën milaneze.

Pak minuta më vonë skuadra e drejtuar nga Stellone mbeti me 10 futbollistë, kur Blanchard për një ndërhyrje të gabuar ndaj Jovetic mori kartonin e dytë të verdhë.

Interi me këtë fitore ngjitet përkohësisht në vendin e katërt me 58 pikë, ndërkohë për Frosinonen po shuhen shpresat për qëndrimin në Serie A, teksa vijon të mbetet në vendin e parafundit me 27 pikë.

Top Channel