Shpërthen media në Spanjë: Barça, e favorizuar nga arbitrat

06/04/2016 00:00

Fitorja me përmbysje kundër Atletico Madrid, ka hapur polemika në Spanjë për mënyrën e trajtimit të Barcelonës nga gjyqtarët e ndeshjes.

Ndëshkimi me të kuq i Torres dhe anashkalimi i Suarez në dy pozicione shkaktoi reagime në media, kryesisht ato madrilene. Gjatë shkrimit të saj, sportivja “Marca” pohon se Barça është skuadra që ka luajtur më shumë në Champions, kundër ekipeve që kanë mbetur me 10 lojtarë.

Barcelona ka luajtur 215 sfida europiane, që nga koha kur turneu u quajt “Champions League”, dhe 30 prej tyre i ka luajtur në superioritet numerik. Akuza më të rënda kanë lëshuar lojtarët e Atleticos, të cilët në deklaratat e tyre kanë theksuar se, Barça mbrohet nga gjyqtarët.

Nga ana tjetër, trajneri Diego Simeone nuk ka folur hapur për bëmat e gjyqtarit pas ndeshjes, duke ditur se UEFA është hakmarrëse ndaj deklaratave të tilla thumbuese. Ndeshja e kthimit, javën e ardhshme, do të jetë edhe më e nxehtë, kjo për faktin se, pas asaj që ndodhi në “Camp Nou”, UEFA duhet të mendohet mirë për gjyqtarin që do të dërgojë për gjykim në “Vicente Calderon”.

Top Channel