Gratë vazhdojnë të lajnë enët…

04/04/2016 00:00

Femrat shqiptare janë ato që gjithnjë janë kujdesur për punët e shtëpisë, madje ky ritual i mësohet që në fëmijëri.

Ato rriten duke parë mamatë e tyre që bëhen copash kudo dhe përgatiten të jenë zonja të mira shtëpie. Pavaresisht emancipimit shoqëror, dhe thyrjen e kësaj tradite nga çiftet e reja, ku të dyja palët angazhohen për mbarëvajtjen e punëve, ka akoma nga ata të cilët janë tradicional e që mendojnë se nje grua  e mire, eshte ajo qe ben gjithçka.

Një studim i fundit i PNUD tregon se ndarja e punëve në shumë familje shqiptare vijon të bëhet në mënyrë të pabarabartë, ku tradicionalisht gratë kanë më shumë ngarkesë se burrat, pavarësisht vullnetit të tyre për ta ndryshuar këtë situatë.

Studimi “Perceptimet dhe qëndrimet publike ndaj barazisë gjinore në Shqipëri” tregon se burrat dhe gratë shqiptare e kanë ende të vështirë të gjejnë balancën e artë të ndarjes së punëve.

Për këtë raport u morën 450 të intervistuar për mënyrën e ndarjes së punëve të shtëpisë, kujdesit ndaj fëmijëve, të ardhurat dhe menaxhimin e tyre.

Në rreth 80 për qind të rasteve janë gratë ato që bëjnë larjen dhe hekurosjen e rrobave, pastrimin e shtëpisë, gatimin dhe larjen e enëve; ndërsa burrat kishin gjasa të angazhoheshin më shumë se gratë në punë që lidheshin me riparimet në shtëpi dhe pagimin e faturave.

Sipas studimit, gratë shpenzonin mesatarisht 4.66 orë për punë shtëpie, ndërsa burrat më pak se gjysma e kohës së grave, pra 2.07 orë. Me rritjen e nivelit të arsimit, pakësohej edhe numri i orëve të shpenzuara për punë shtëpie, ndërsa e kundërta ndodhte për arsimin e dobët.

Megjithë luftën e madhe që bëjnë gratë për t’i integruar në punët e shtëpisë, sërish një pjesë e tyre ndjehen të diskriminuara nga kjo barrë  e rëndë që i bie në shpatulla shpesh herë, për shkak të mungesës së bashkëpunimit në çift.

Top Channel