Numri i të rriturve obezë në botë sot ua kalon atyre nën peshë, tregon një studim i realizuar nga shkencëtarët e Imperial College në Londër dhe i publikuar nga revista prestigjioze mjekësore Lancet.

Studimi krahason indeksin e masës trupore IMT të pothuajse 20 milionë burrave dhe grave nga viti 1975 në 2014-n. Kërkuesit kanë dalë në përfundimin se obeziteti tek meshkujt është trefishuar dhe tek gratë është mbi dy herë më i lartë. Autori kryesor, profesori Majid Ezzat flet për një “epidemi të vërtetë mbipeshe” dhe i nxit qeveritë që të kalojnë në veprim.

Të dhënat janë marrë nga 186 vende të ndryshme. Sipas tyre, nga 105 milionë që ishte në 1975-n, numri i personave obezë në mbare globin në vitin 2014 ishte rritur në 641 milionë. Personat nën peshë ndërkohë, përgjate së njëjtës periudhë kohore janë shtuar nga 330 në 462 milionë.

Përkufizimin klinik të obezitetit e përbën llogaritja e peshës së pjestuar me gjatësinë në metër katror. Sipas profesor Ezzatit, studimi praktikisht tregon se në 40 vjet, nga një botë ku nënpesha mbizotëronte mbi obezitetin, kjo e jona është shndërruar në vendin ku personat mbipeshë janë më të shumtë sesa ata nënpeshë.

Niveli i obezitetit sipas tij, tashmë ka mbërritur në atë që mund të konsiderohet një pikë krize.

Top Channel