Mbrëmje rekordesh në NBA

31/03/2016 12:30

Mbrëmja e radhës e NBA mund të konsiderohet si ajo e vendosjes së rekordeve të reja. Një të tillë e ka shënuar San Antonio Spurs që mposhti New Orleans Pelicans 100-92 për të çuar në 38 numrin e fitoreve në parketin e tij në po kaq ndeshje, për të thyer rekordin e vendosur nga Chicago Bulls në 1995/96 me 37 fitore në shtëpi e asnjë humbje.

Ginobili me 20 pikë, nga të cilat 15 nga distanca e 3 pikëve dhe Leonard e Green me 16 pikë ishin ata që morën përsipër të udhëhiqnin skuadrën teksane drejt këtij suksesi, që e konfirmon skuadrën e dytë më të mirë të kampionatit amerikan të basketbollit.

Edhe Golden State Warriors shënon një rekord të saj. Skuadra kampione në fuqi e NBA mposhti Utah Jazz në fushën e kësaj të fundit 103-96, duke regjistruar fitoren e 68 sezonale, rezultati më i mirë i arritur ndonjëherë në historinë e saj. Gjithsesi, kjo ndeshje nuk ishte shumë e lejhtë për Golden State, që e siguroi fitoren vetëm pas kohës shtesë, ku ata që spikatën ishin Stephen Curry dhe Draymond Green, i cili bëhet lojtari i parë në historinë e NBA që brenda një sezoni shënon 1000 pikë, rrëmben 500 topa në tabelë, jep 500 assist, ndërpret 100 aksione dhe bllokon 100 sulme të kundërshtarëve.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Los Angeles Lakers mposhti Miami Heat në “Staples Center” 102-100, pas kohës shtesë, falë pikëve të Julius Randle, ndërsa Toronto Raptors mundi Atlanta Hawks 105-97 dhe për herë të parë në historinë e saj kjo skuadër arrin në kuotën e 50 fitoreve sezonale. Dallas Mavericks fitoi me New York Knicks 91-89, ndërsa Sacramento Kings mposhti Washington Wizards 120-111.

Top Channel