Kombëtarja, sot e kanë radhën Gashi e Cikalleshi

29/03/2016 00:00

Gianni De Biasi ka ende disa dilema në kokën e tij, në lidhje me skuadrën që do të portretizojë në finalet e “Euro 2016”, ndaj dhe ato kërkon t’i zbulojë në testin e radhës ndaj Luksemburgut.

ndeshjen e radhës do të jenë nga minuta e parë futbollistët që nuk u aktivizuan në takimin ndaj Austrisë. Përveç portierit Berisha, i cili ka nevojë për minuta aktivizimi, minuta të mangëta te Lacio, në mbrojtje i është bërë vend Veselit, Ajetit, Gjimshitit dhe Alijit. Asnjëri prej tyre nuk është aktivizuar në takimin ndaj Austrisë, por me shumë gjasa nuk do të jenë edhe zgjedhje të para në muajin qershor.

Në mesfushë, për takimin e sotëm janë 3 emra, që në optikën e trajnerit janë zgjedhje të rëndësishme dhe do të luftojnë deri në fund për një fanelë titullari. Kështu, Kukeli është menduar gjithnjë si një nga të prefeuarit e italianit, që në skemat e tij e shikon si gjeometristin më të mirë. Futbollisti që mban fanelën me numrin 13 nuk ka shumë minuta aktivizim në skuadrën ku luan, por De Biasi beson tek eksperienca e tij dhe kërkon të shikojë formën në një test perfekt. Edhe Basha është një zgjedhje që De Biasi nuk e injoron, edhe pse pak herë pati mundësinë e një vendi titullari gjatë kualifikueseve. Gjithsesi Migjen Basha është ndër të paktët futbollistë, që arrin të luajë nën presion të lartë dhe, për më tepër, ka një armë të rëndësishme: qarkullimin e topit.

Sa i përket Memushajt, thuhet që do të jetë i padiskutueshëm në formacion. Në fakt, gjatë pjesës së dytë të kualifikueseve, vlonjati u provua në shumë pozicione në fushë, e në të gjitha rastet ai bindi me lojën e tij. Memushaj mund të aktivizohet si në pjesën poshtme të rombit të mesit të fushës, ashtu edhe në krye, si një numër ‘10’, apo ndoshta edhe si një sulmues i fshehur.

Sot në mbrëmje, De Biasi ka menduar të luajë me 3 futbollistë në sulm, duke i bërë vend nga minuta e para Herolind Shalës, i cili është aktivizuar shumë pak në erën “De Biasi”, si edhe Shkëlzen Gashit. Për sulmuesin e transferuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se ka rezerva dhe, pas kalimit në kampionatin amerikan, për të kanë rënë ndjeshëm kuotat për një vend titullari në finalet e Europianit. Ndërsa në fund, numri ‘9’. Ai është një vend, për të cilin Cikalleshi ka avantazhin më të madh se të gjithë emrat e tjerë.

Por pavarësisht emrave, ajo që De Biasi do të kërkojë të shikojë me patjetër në takimin ndaj Luksemburgut janë sigurisht aftësitë e skuadrës për të luajtur në sulm, praktikisht me një kundërshtar që në letër është i lehtë, por që kujtojmë se pak vite më parë nuk na e kurseu një humbje, të turpshme madje.

Ja formacioni i pritshëm:

Portier: Berisha
Mbrojtës: Veseli, Ajeti, Gjimshiti, Aliji
Mesfushorë: Kukeli, Basha, Memushaj
Sulmues: Gashi, Cikalleshi, Shala

Top Channel