“Badovci”, nis gjykimi për të arrestuarit afër liqenit të ujësjellësit

24/03/2016 00:00

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Prishtinë ka nisur gjykimi i 5 personave të arrestuar më 11 korrik të vitit të kaluar, të cilët akuzohen për veprën penale të “Përgatitjes së veprave terroriste, ose veprimeve penale, kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi dyshohet se, te liqeni i Badovcit në periferi të Prishtinës kanë synuar të regjistrojnë një video propaganduese me flamur të ISIS-it dhe të lexojnë betimin ndaj kreut të xhihadistëve të Shtetit Islamik.

Prokurorja Drita Hajdari tha se, përmes këtij veprimi, të dyshuarit kanë dashur që të destabilizojnë Kosovën dhe të frikësojnë qytetarët.

“Me një akt të tillë, të akuzuarit kanë kryer një vepër penale të sanksionuar me Kodin Penal të Kosovës. Me një akt të tillë, ata padyshim kishin për qëllim frikësimin serioz të popullsisë dhe destabilizimin shoqëror të Republikës së Kosovës, e cila është duke bërë përpjekje serioze për anëtarësim në Bashkimin Europian”, tha Drita Hajdari, prokurore.

Por, të pandehurit u deklaruan të pafajshëm para gjykatës. E pavarësisht provave që disponon Prokuroria, avokatët e të pandehurve besojnë në pafajësinë e tyre.

“Sipas mendimit tim, një veshje apo një atribut i tillë më duket se nuk përkon me realitetin. Kam një dyshim, le të mos themi edhe bindje se, po dëshirojmë apo po tentojmë ta sjellim ‘dreqin’ te dera. Milazim Haxhiaj, asnjëherë nuk i pranuar të tilla veprime, siç është cituar edhe në aktvendimin për zbatimin e hetimeve dhe në aktakuzën ndaj tij. Ka pranuar që ka qenë në vendin e gabuar në atë natë kritike, ndoshta edhe me njerëzit e gabuar, me njerëz që nuk i ka njohur fare”, tha Bajram Tmava, avokat.

Pesë të dyshuarit për terrorizëm do të vazhdojnë të mbahen në paraburgim, edhe pse avokatët e tyre kërkuan të enjten që ata të gjykohen në liri. Seanca e radhës për ta është caktuar më 15 prill.

Top Channel