Suksesi i “Shok”, qeveria e Kosovës akordon 250 mijë euro për QKK-në

23/03/2016 00:00

Suksesi i filmit “Shok” me nominimin në çmimet “Oscar” bëri që Qeveria e Kosovës t’i japë Qendrës Kinematografike 250 mijë euro nga fondi i saj rezervë.

Në mbledhjen e qeverisë këtë të mërkurë, ministri i Kulturës Kujtim Shala tha se, me dhënien e kësaj shume, buxheti i Qendrës së Kinematografisë së Kosovës, për herë të parë do të shkojë në një milion euro dhe do të jetë në funksion të subvencionimit të projekteve filmike për vitin 2016.

“Shuma prej 250 mijë eurosh do të jepet në mbështetje të Kinematografisë së Kosovës, pas sukseseve që ka arritur Qendra e Kinematografisë së Kosovës dhe kinematografia jonë në tërësi me nominimin e filmit ‘Shok’ për çmimin ‘Oscar’. Shuma e kërkuar, në akord të plotë me kryeministrin dhe ministrin e Financave, do të merret nga fondi rezervë i Qeverisë së Kosovës. Qendra e Kinematografisë së Kosovës ka realizuar vitet e fundit projekte filmike, që kanë arritur suksese të rëndësishme”, tha ministri Kujtim Shala.

Gjithsej janë 20 projekte të Qendrës Kinematografike që duhen realizuar brenda vitit 2016. Drejtori i kësaj qendre, Arben Zharku i ka thënë Top Channel se, 7 prej tyre janë filma të metrazhit të gjatë, ndërsa të tjerët filma të shkurtër e dokumentarë.

Top Channel