Kosova, letra me vlerë për diasporën shqiptare

22/03/2016 00:00

Që nga korriku i këtij viti, Qeveria e Kosovës ka vendosur të lëshojë në treg letra me vlerë prej 20 milionë eurosh për diasporën shqiptare.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se, emetimi i “bonove për diasporën” është një mundësi e mirë për shqiptarët e diasporës, që kursimet t’i investojnë në letra me vlerë, për të cilat ai tha se, do të kenë interes më të lartë sesa bankat tregtare.

“Kemi një diasporë shumë të madhe, me një kapacitet të madh financiar. Brenda vitit janë rreth 700 milionë euro që sillen në Kosovë, për familjet që kanë anëtarët e tyre jashtë. Ka qindra miliona euro gjithashtu, që janë të vendosura nëpër bankat e vendeve, ku është duke jetuar diaspora jonë”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave në Kosovë.

Ministri Hoti tha se, paratë e letrave me vlerë, këtë vit do të investohen në bujqësi.

Hekuran Murati, nga Departamenti i Thesarit në Ministrinë e Financave tha se, letrat me vlerë do të jenë në dispozicion për diasporën nga data 1 korrik, ndërsa ato mund të blihen në të gjitha bankat tregtare në Kosovë.

Vlera më e vogël që një qytetar mund të investojë është 10 mijë euro, ndërsa më e larta 250 mijë euro, ndërsa interesi – siç tha ai, – do të paguhet çdo 6 muaj.

Që nga viti 2012, kur Kosova ka nisur për herë të parë shitjen e letrave me vlerë, ka shitur deri më tani disa të tilla me vlerë 400 milionë euro. Prej tyre, 15 milionë janë blerë nga persona privatë, ndërsa pjesa tjetër është blerë nga kompani sigurimesh, banka dhe biznese.

Top Channel