Milani barazon ndaj Lazios; Championsi, thjesht një ëndërr

20/03/2016 00:00

Milani nuk arrin të fitojë as ndaj Lazios në “San Siro”. Kuqezinjtë e mbyllën ndeshjen në barazim 1-1 ndaj një kundërshtari me probleme, i cili vetëm 3 ditë më parë u mposht 0-3 në “Olimpico” nga Sparta e Pragës.

Rezultati i ndeshjes së mbrëmjes së të dielës në Serie A u vendos që në 15 minutat e para. Fillimisht ishte Lazio që kaloi në avantazh me anë të Parolos në minutën e 9, ndërsa 6 minuta më vonë Bacca barazoi shifrat.

Përpjekjet e Milanit nuk munguan për të gjetur golin e fitores, por nuk ia arritën qëllimit. Lazio mbeti me një lojtar më pak pas daljes nga fusha e lojës e Luliç në minutën e 84, por as ky avantazh numerik nuk e ndihmoi Milanin të rikthehej te fitorja.

Kur kanë mbetur edhe 8 javë nga fundi i Serie A, Milani thuajse e ka të pamundur për të marrë vendin e tretë, pasi Roma ndodhet 11 pikë përpara. Aktualisht kuqezinjtë mbajnë vendin e 6 me 49 pikë, i cili i çon në Europa League, një objektiv, i cili mund të arrihet edhe nga Kupa e Italisë, aty ku ekipi i Mihajloviç ka mbërritur në finale dhe do të ndeshet me Juventusin. 

Top Channel