Austria me “artilerinë e rëndë” ndaj Shqipërisë

16/03/2016 00:00

Trajneri zviceran i Austrisë, Marcel Koller, shpalli listën e lojtarëve që do të luajnë në miqësoren e 26 marsit kundër Shqipërisë dhe me Turqinë disa ditë më pas.

Risia e vetme në listën e Austrisë është lojtari i Schalke, Alessandro Schopf, ndërsa në listë pritje është Florian Grielitsch, që luan për Werder Bremen.

Koller ka ftuar futbollistët më të mirë, ku padyshim bie në sy David Alaba i Bayern, Arnautovic i Stoke City, Fuchs i Leicester, Garics i Darmstadt, Wimmer i Tottenham, Baumgartlinger i Mainz apo edhe Janko që është shok skuadre me Taulant Xhakën te Baseli.

Ndërkohë, Federata Austrike e Futbollit ka konfirmuar besimin në trajnerin Koller të cilit i kanë ofruar rinovimin edhe për dy vite te ardhshme. Zvicerani do të jetë në stolin e kësaj kombëtareje edhe për kualifikueset e Botërorit 2018.

Top Channel