I pastrehu e ndihmoi, vajza ‘i jep’ 10 mijë paund

15/03/2016 00:00

Historia e një 21-vjeçareje britanike që gjeti ndihmën e një të pastrehu në rrugët e Londrës, po bën bujë në internet dhe vajza tashmë ka nisur mbledhjen e fondeve për të ndihmuar heroin e saj.

Nicole Sedgebeer humbi trenin nga Londra për në Milton Keynes dhe mbeti në stacion krejt e vetme në orët e natës.

Asaj iu afrua një i pastrehë që i tha se ishte e rrezikshme të qëndronte aty e vetme dhe e ftoi ta dërgonte në një kafene të hapur 24 orë, që ndodhej disa qindra metra më larg.

Vajza pranoi shoqërinë e të pastrehut, që më vonë u mor vesh se quhej Mark. Marku shoqëroi 21-vjeçaren deri në kafene dhe më pas u largua duke i premtuar se do të rikthehej sërish në orët e para të mëngjesit për ta shoqëruar për tek stacioni i trenit.

Mark e mbajti fjalën dhe u rikthye në orën 05:00 të mëngjesit duke shoqëruar 21-vjeçaren në stacionin e autobusit. Vetë Nicole rrëfeu historinë e saj fillimisht përmes rrjeteve sociale, rrëfim që më pas u përhap me shpejtësi edhe në media.

Në shenjë falenderimi për ndihmën e dhënë, vajza themeloi një faqe donacioni për të grumbulluar para për të pastrehët dhe vetëm në 3 ditë mblodhi më shumë se 10 mijë paundë, pjesa më e madhe e të cilave thotë se do të shkojnë për heroin e saj, Markun.

Top Channel