Tri emigrantë kanë humbur jetën rreth orës 3 të mëngjesit të së hënës në qytetin e Gjevgjelisë. Ata kishin hyrë në territorin e Maqedonisë ilegalisht, nga Greqia.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ngjarja tragjike ka ndodhur gjatë përpjekjeve të emigrantëve për të kaluar lumin e Thatë. Bëhet fjalë për një burrë dhe dy gra. Trupat e pajeta të tyre u gjetën nga policia rreth orës 7 të mëngjesit.

Bashkë me viktimat ishin edhe 23 emigrantë të tjerë, që kanë arritur të shpëtojnë. Tre prej tyre janë dërguar menjëherë në spitalin e Gjevgjelisë, ndërsa 19 emigrantët e tjerë janë dërguar në kampin tranzitor, që ndodhet vetëm disa metra larg lumit ku ndodhi tragjedia.

“Grupi i emigrantëve është gjetur rreth orës 5 të mëngjesit dhe u shpëtuan me ndihmën e pjesëtarëve të ushtrisë, policisë dhe ekipeve të Kryqit të Kuq. Janë nxjerrë 23 persona, tri prej të cilëve janë dërguar në Spitalin e Gjevgjelisë. Dy prej tyre janë me shenja hipotermie, kurse njëri ka këmbën e thyer”, tha Zoran Lazarevski nga Qendra për Menaxhimin e Krizave në Gjevgjeli.

Sipas të dhënave jozyrtare, viktimat janë nga Afganistani, ndërsa në mesin e personave që u nxorën të gjallë nga lumi, mësohet se ka pasur edhe nga Irani.

Ndërkohë, mesditën e së hënës, rreth 700 refugjatë kanë hyrë ilegalisht në territorin e Maqedonisë. Ministria e Brendshme në Shkup ka bërë të ditur se forcat e policisë, në koordimin me pjesëtarët e ushtrisë janë angazhuar për kthimin e tyre në Greqi.

Maqedonia ka mbyllur prej rreth një jave kufirin për refugjatët, vendim që ka sjellë një situatë të rëndë në qytetin grek të Idomenit, ku rreth 14 mijë persona po presin në kushte shumë të vështira, për të vazhduar rrugën drejt vendeve të Europës Perëndimore.

Top Channel