Maqedoni, ndalohet ish-pjesëtari i UÇK-së me urdhër nga Beogradi

11/03/2016 00:00

Policia e Maqedonisë ka arrestuar këtë të premte, në pikën kufitare ”Bllacë”, Gafurr Dugollin, drejtor i Zyrës së Protokollit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, sipas një urdhërarresti të INTERPOL-it me kërkesë të Policisë së Serbisë, i kërkuar për krime lufte gjatë kohës kur Dugolli ka qenë pjesëtar i UÇK-së.

Ministria e FSK-së, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se, Dugolli po udhëtonte për në Maqedoni me qëllim që të pajisej me vizë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup.

Ndaj veprimit të policisë maqedonase ka reaguar Qeveria e Kosovës, e cila ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Dugollit.

“Qeveria e Kosovës fton Republikën e Maqedonisë dhe të gjitha shtetet fqinje e më gjerë, që të mos ndërmarrin veprime policore ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës, duke u bazuar në listat e Serbisë, të cilat janë të hartuara në mospërputhje të plotë me aktet juridike dhe praktikat ndërkombëtare në këtë fushë”, thuhet në reagimin e qeverisë kosovare.

Përmes reagimit për media, qeveria ka bërë të ditur po ashtu se ka informacione, që Serbia ka përditësuar listën e re para pak ditësh, duke shkelur çdo praktikë ndërkombëtare, listë ku sërish janë përfshirë qytetarë dhe personalitete të Kosovës.

Top Channel