Maqedoni, ngecin negociatat për reformën në media; kriter kyç për zgjedhjet

10/03/2016 00:00

Reforma në media është ndër kushtet kryesore për organizimin e zgjedhjeve demokratike në Maqedoni, por partitë politike kanë ndalur prej dy javësh negociatat për këtë temë.

Të enjten, ndërmjetësi i BE-së në negociatat për zgjidhjen e krizës politike, Piter Vanhojte, përmes një deklarate me shkrim ka bërë të ditur se, është e pamundur të vazhdojnë takimet e grupeve punuese për mediat në formatin e deritanishëm.

Përveç dallimeve që kanë dy partitë maqedonase, procesin e bisedimeve për mediat e ka komplikuar edhe vendimi i VMRO-DPMNE-së për të bojkotuar takimet me ndërmjetësin europian, të cilin e ka akuzuar se mban anën e opozitës në negociata.

Nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë thonë se, partitë nuk guxojnë të anashkalojnë bisedimet për reformimin e mediave dhe shprehin shqetësimin për mundësinë e ndryshimit të formatit të bisedimeve.

Reformimi i mediave parashikohet me marrëveshjen për zgjidhjen e krizës politike, që u arrit verën e kaluar midis 4 partive kryesore në Shkup. Çështjet kryesore, për të cilat partitë duhej të arrinin marrëveshje, kanë të bëjnë me ndërprerjen e publiciteteve qeveritare në media, depolitizimin e Agjencisë së Mediave, si dhe me ndryshimet në Këshillin e Televizionit Publik.

Top Channel