Varret e francezëve për të cilat kujdesen shqiptarët

02/03/2016 00:00

Qyteti i Korçës është i vetmi në Ballkan që u ka ofruar strehë të përjetshme qindra ushtarëve francezë të vrarë në Luftën e Parë Botërore. Plot 640 varre prej 90 vjetësh janë nën përkujdesjen e brezave të banorëve fisnikë të saj.

Qeveria franceze në atë kohë tregoi një kujdes shumë të madh për dëshmorët e saj edhe pse ishte situatë lufte. Ajo vendosi t’i gruponte në një vend dhe kur lufta të përfundonte t’i tërhiqte drejt vendit të saj.

Duke pasur marrëdhënie bashkëpunimi me parinë e Korçës dhe drejtuesit e lëvizjes patriotike të kohës, komanda ushtarake franceze mendoi që të krijonte varrezën e ushtarëve të vrarë pikërisht në qytetin juglindor, vend që u gjykua i përshtatshëm.

Këshilli Krahinor, që në atë kohë administronte Krahinën Autonome të Korçës, sipas dokumenteve që ruhen në muzeun e qytetit, dhuroi truallin ku do të ndërtohej varreza e ushtarëve francezë të rënë në Luftën e Parë Botërore.

Gjatë viteve të luftës, francezët sollën këtu të gjithë ushtarët e tjerë të rënë në Ballkan, ndërsa sot varrezat mirëmbahen nga shqiptarë që e kalojnë këtë pune nga brezi në brez duke e bërë traditë.

Top Channel