“Të shpëtojmë Schengen-in”, turi ballkanik i Donald Tusk për refugjatët

02/03/2016 00:00

Me moton “Kthim në Schengen”, Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk ka nisur turin në kryeqytetet e korridorit ballkanik të kalimit të migrantëve, për gjetjen e konsensusit mbi zgjidhjen europiane.

Nga Vjena në Lubjanë, Zagreb, Beograd, e më pas në Shkup e Athinë, më 3 mars, ai kërkon zbatim të plotë të Kodit të kufirit “Schengen” dhe refuzim të hyrjes për migrantët, të cilët nuk përmbushin kushtet për të kërkuar azil në BE.

Donald Tusk, President i Këshillit të BE-së: Dy javë më parë, udhëheqësit europianë u pajtuan unanimisht se, nevojitet të kthehemi te situata, ku të gjitha vendet anëtare zbatojnë plotësisht rregullat tona të përbashkëta, përfshirë Kodin e kufirit “Schengen”. Rikthimi në “Schengen” do të kushtojë parà, do të marrë kohë dhe kërkon përpjekje të stërmëdha politike. Mund të ketë vende, që nuk duan të merren me këtë sfidë, por Europa është aty për të asistuar. Më lejoni t’iu them se, po hapim një kapitull të ri në betejën tonë me krizën e emigracionit, që quhet “Kthim në Schengen”.

Kreu i Unionit synon të arrijë një sintezë të qasjeve të ndryshme, përpara mbajtjes së takimit të 7 marsit me Turqinë, i cili i paraprin samitit europian të krerëve të shteteve apo qeverive të BE-së, që mbahet pas dy javësh.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel