Mosha dixhitale ishte edhe tema e sfilatës së përzgjedhur nga Emporio Armani, që u prezantua këtë të premte në Milano. Linja për meshkuj dhe femra, këtë herë kishte guxuar me kontrastin e ngjyrave.

Stilisti i mirënjohur italian, Giorgio Armani, në një koleksion ku dominonte e zeza ka bërë një thyerje të saj me ngjyra të shndritshme. E verdha fosfor, po ashtu roza dhe bluja përbënin një trinom të stampuar mbi pëlhurat e zeza.

Koleksioni vjeshtë-dimër 2016-2017 reflektonte një ndikim të fortë nga moda e viteve ’80.  Armani ka risjellë në fokus format gjeometrike si trekëndësha, katrorë dhe rrathë, te të gjitha stilet; funde, pantallona apo pallto. Teminat po ashtu nuk munguan, duke konfirmuar se tani, ato janë më shumë se asnjëherë në modë.

81-vjeçari Giorgio Armani, i njohur ndryshe si “Mbreti Giorgio” në Itali, me linjën e quajtur “New Pop” ka gërshetuar “stil klasik” me “trendet e epokës së sotme”.

Top Channel