Kosovë, sërish gaz lotsjellës në Kuvend, ndërpritet seanca për zgjedhjen e presidentit

26/02/2016 14:15

Seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit është ndërprerë pasi deputetët e opozitës hodhën gaz lotsjellës.

Opozita e hodhi gazin lotsjellës gjatë fjalimit të deputetit të LDK-së, Sabri Hamiti. Fillimisht u dyshua se gazin e hodhën Teuta Haxhiu e AAK-së dhe Faton Topalli i VV-së, por më vonë, deputeti Bali Muharremaj mori përsipër hedhjen e gazit, duke shfajësuar kolegen Teuta Haxhiu, ndërkohë që deputeti i Vetëvendosjes, ka mohuar se ka qenë njëri prej autorëve të hedhjes së gazit lotsjellës.

Një deputet është shoqëruar jashtë sallës për shkak se është ndjerë keq në momentin e hedhjes së gazit. Bëhet fjalë për deputetin e Vetëvendosjes Smajl Kurteshi, ndërsa shumë deputetë të opozitës vazhdojnë të qëndrojnë në sallën me gaz.

Më herët, në fjalën e tij në seancë, Visar Ymeri, kreu i VV-së, theksoi se “Thaçi bekohet nga Vuçiçi për president”.

“Presidenti i Kosovës nuk ka të drejtë të shkelë Kushtetutën e vendit dhe t’i falë toka Malit të Zi. Larg qoftë nëse bëhet, por nuk do të jetë kurrë Presidenti i Republikës së Kosovës, pasi bekimin po e merr nga kryeministri i Serbisë, armiku i vendit”, tha Ymeri.

Donika Kadaj-Bujupi e AAK-së tha se Hashim Thaçi, në Kosovën e lirë dhe të pavarur po kërkon të bëhet president me dhunë.

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj foli për një rrugëdalje të vetme për të mos përshkallëzuar krizën dhe ajo rrugëdalje, sipas tij, janë zgjedhjet e parakohshme.

“Do të vazhdojmë me argumente të kundërshtojmë zgjedhjen e Thaçit. Do të bëjmë përpjekje që kjo derë që është e hapur të shfrytëzohet maksimalisht që të mos lejojmë Kuvendin të votojë Presidentin dhe të shkojmë në zgjedhje. Nëse nuk zgjidhet Presidenti sot, vendi shkon në zgjedhje. Më mirë të shkojmë në zgjedhje sot dhe të vendosim sipas vullnetit të qytetarëve të këtij vendi dhe të mos e fusim vendin në një krizë edhe më të thellë”, tha ai.

Top Channel