Gara humb adrenalinën, Ecclestone e “ngel” në klasë F1

22/02/2016 00:00

Një verdikt i vrazhdë ndaj një personazhi që ka ngritur sportin e  Formula 1 nga hiçi dhe jo më kot zotëron të drejtat komerciale, ndoshta nuk do t’u pëlqejë tifozëve të shumtë të kampionatit emocionues.

Bernie Ecclestone ka folur me tone kritike ndaj Formula 1 aktuale duke cilësuar si më të keqen në histori, dhe për të cilën nuk do shpenzonte kurrë para’ që të çonte familjen e tij në një garë.

Miliarderi britanik nuk i kurseu as Mercedes, Ferrarin dhe Jean Todt në shpërthimin e tij.

“Unë mendoj që jam një përjashtim për botën e Formula 1 pasi nuk kam nevojë as për punë dhe as për para’. Shumica e pjesëmarrësve në këtë kampionat mendojnë për të mirat personale në plan afatshkurtër dhe rezultati është ky. Formula 1 është katandisur më keq se kurrë ndonjëherë dhe nuk do shpenzoja paratë e mia për një garë”, tha biznesmeni Ecclestone.

Ai nuk ngurroi të drejtonte gishtin e akuzave ndaj ekipeve kryesore, që kanë faj në bllokimin e reformave me anë të një të drejte vetoje që u është njohur.

“Na duhen më shumë gara konkurruese pasi që para nisjes e dimë që me të gjitha gjasat makina në Pole Position do të jetë ajo e Hamilton. Me shumë mundësi ai do të jetë dhe në podium me një Mercedes tjetër. Pra është si një kartel në gara”, tha Berni Ecclestone.

Top Channel