Haradinaj: Vendi drejt zgjedhjeve. Thaçi nuk do të zgjidhet president

20/02/2016 19:55

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është i bindur se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në fillim të muajit mars.

Në një intervistë për Top Channel, Haradinaj shprehet i bindur se lideri i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi nuk do të zgjIdhet president dhe si pasojë do të ketë zgjedhje të reja.

“Nuk besoj që do të zgjidhet, nuk besoj. Nuk e shoh këtë situatë të mundur. Mendoj se ne, më 7 mars do të shkojmë automatikisht në zgjedhje”, deklaron Haradinaj.

Për këtë arsye, Haradinaj e dorëzoi të premten edhe mandatin e deputetit të AAK-së. “Në fakt, unë mendoj se ky Parlament ka vetëm edhe një punë për të kryer, ajo për të shpërndarë veten. Pra, edhe largimi im nga Parlamenti e dha këtë porosi. Duhet ta shpërndajmë Parlamentin dhe duhet të shkojmë në zgjedhje”, thotë Haradinaj.

Në intervistën për Top Channel, Haradinaj komenton edhe deklaratën e ashpër të ambasadorit amerikan në Kosovë, i cili i quajti të neveritshme veprimet e liderëve të tri subjekteve opozitare në seancën e Kuvendit.

“Lutja ime për të gjithë është që të mos shohin vetëm metodat e opozitës, por edhe argumentet e saj. Të shohim edhe pakënaqësinë qytetare në vend. Të mos harrojmë se unë i kam ftuar në protestë ambasadorët. Sa herë që kemi pasur takime u kam thënë të gjithëve se, jeni të ftuar të vini në protestë. Ashtu siç shkoni të shihni qeverinë, të takoni ndonjë zyrtar apo ministër, ejani edhe në protestë”, nënvizon Haradinaj.

Edhe pse është larguar nga beteja opozitare brenda Kuvendit të Kosovës, Haradinaj shton se do të vazhdojë kundërshtimet opozitare bashkë me dy subjektet e tjera, Vetëvendosje dhe Nisma, me të cilat ai e pranon se ka shumë dallime.

Top Channel