Gaz dhe kundërgaz, bllokohet me dhunë seanca. Përjashtohen deputetët e opozitës

19/02/2016 00:00

Kuvendi i Kosovës ka nisur sesionin pranveror me tym gazi lotsjellës, që hodhën sërish deputetët e opozitës. Ndryshe nga herët e tjera, kryeparlamentari Kadri Veseli e vazhdoi mes tymit seancën, duke kërkuar miratimin e një deklarate, që dënonte veprimin e gjykatave të Serbisë kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas ndërprerjes së seancës për disa minuta, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka folur për rikthimin e opozitës me gaz lotsjellës në Kuvend.

“Kjo ishte një fytyrë e vërtetë e këtij reagimi të eprorëve opozitarë. Ne do të vazhdojmë të punojm”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Por, opozita e bashkuar është shprehur e vendosur, që të vazhdojë bllokimin e punës së Kuvendit.

“Thirrja e seancave në këtë mënyrë, pa u mbledhur krerët për të gjetur një zgjidhje politike është thjesht për të provokuar dhe për të thelluar krizën”, tha Fatmir Limaj, kryetar i Nismës.

I ashpër kundër vazhdimit të punës së Kuvendit është shprehur edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Kjo situatë aktuale kërkon vërtet epilogun dhe jemi të bindur që do ta ketë epilogun: zgjedhjet”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK.

Pas pastrimit të sallës me ventilatorë të instaluar rishtazi, deputetët u rikthyen në seancë, por tanimë 18 deputetë nga opozita ishin të pezulluar. Për të larguar ata nga salla u desh ndërhyrja e forcave të Sigurimit.

Nxjerrja jashtë salle e deputetit të Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili, përfundoi në përleshje jashtë sallës, ku kolegia e tij, Albulena Haxhiu u lëndua në kokë.

Disa deputetë të opozitës u arrestuan për gaz lotjsjellës, siç tha policia.

E teksa Kuvendi rimblidhej, deputetët e opozitës nuk u lejuan të hynin në sallë, ndërsa pas disa përpjekjesh për të hyrë, udhëheqësi i Vetëvendosjes, Visar Ymeri doli para protestuesve dhe e shpalli të mbyllur protestën për këtë ditë.

“Por ndërsa këta tentojnë të bëjnë Hashimin president, do të mblidhemi këtu të gjithë bashkë”, tha Visar Ymeri, kryetar i Vetëvendosjes.

Pas kësaj, kryetari i AAK-së, Ramush Haradainaj dorëzoi mandatin e deputetit, duke shprehur zhgënjimin e tij me situatën. Ndërkohë, më herët gjatë ditës, deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti kishte pësuar një sulm me vezë, teksa hynte në Kuvend.

Me qetësimin e situatës, para medieve në mjediset e Kuvendit doli ambasadori amerikan, që dënoi ngjarjet.

“Jam thellësisht i dëshpëruar dhe i zhgënjyer me udhëheqësit e AAK-së, Nismës dhe Vetëvendosjes, që pas një proteste paqësore të zhvilluar pak ditë më parë, të ketë një situatë të tillë që dëmton një të ardhme të Kosovës”, tha Greg Delaëie, ambasador i SHBA-ve në Kosovë.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp deklaroi se, edhe pas këtyre zhvillimeve, ende nuk e kanë mësuar qëndrimin e opozitës dhe çfarë po kërkojnë ata në të vërtetë.

Top Channel