Benitez: Ja pse Barça fiton më shumë se Reali

18/02/2016 00:00

Ndryshimet e vazhdueshme të trajnerëve dhe presioni i jashtëzakonshëm që presidenti vendos mbi stafin teknik, është arsyeja kryesore pse Reali i Madridit fiton më pak se Barcelona.

Të paktën ky është mendimi i Rafael Benitez, timonieri i “galaktikëve” deri pak javë më parë kur u shkarkua për t’i lënë vendin Zinedin Zidane.
 
Nuk ka kaluar shumë kohë kur Florentino Perez e cilësonte Rafael Benitez si trajnerin më të mirë në botë, por tani pas largimit aspak të pëlqyer nga spanjolli, kanë ardhur edhe akuzat.
 
“Nuk është e lehtë që të jesh trajneri i Realit të Madridit. Duhet të jetë gjithçka perfekte dhe nëse diçka shkon keq apo presidenti mendon që po shkon keq, bëhet problem i vërtetë”, tha Benitez për televizionin “BT Sports”.
 
Tekniku iberik nënvizoi vështirësitë për të punuar në një ambient si ai i blankos.

“Kemi parë me radhë, Kamaco, Del Bosque, Pelegrini, Mourinho apo Ancelotti. Nuk është e lehtë të dish çfarë ndodhi me këta trajnerë. Unë po bëja një punë të mirë, por tifozët ishin nervozë e po kështu presidenti që vendosi ndryshimin. Perez ishte gjithmonë nëpër këmbë me shtypin dhe për një trajner kjo nuk është e lehtë. Çelësi i suksesit është stabiliteti. Barcelona ka një model të mirë futbolli kurse Real duhet ta nisë çdo vit nga e para. Për këtë arsye, Barça ka fituar më shumë tituj dhe ka luajtur 6 finale në 8 vjet”, tha Benitez.

Top Channel