Arrestimet në radhët e VV, nga mosparaqitja në gjykatë për kundërshtimin e EULEX-it

16/02/2016 00:00

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, si dhe zyrtarë e aktivistë të tjerë të këtij subjekti politik, të arrestuar në 24 orët e fundit, po mbahen me vendim të gjykatës në qendra paraburgimi.

Kjo, pasi 27 të akuzuarit për dëmtimin e makinave të EULEX-it, në gusht të vitit 2009, janë thirrur në 6 seanca nga Gjykata Themelore, por në asnjërën prej tyre nuk kanë marrë pjesë, duke mos iu përgjigjur ftesave të organit të drejtësisë.

Vendimi për masën e paraburgimit siguron kështu pjesëmarrjenen e tyre të detyruar në seancën e radhës.

I kontaktuar nga Top Channel, gjyqtari i kësaj çështjeje, Vesel Ismajli tha se ka provuar të gjitha rrugët ligjore për t’i ftuar në gjykatë të akuzuarit, por ata nuk kanë përfillur thirrjet, ndaj dhe është detyruar të lëshojë urdhërarreste me vendim për paraburgimin e tyre.

Ismajli shtoi se, është në pritje të një konfirmimi zyrtar nga policia për numrin dhe emrat e të arrestuarve të këtij grupi, e më pas do të caktojë seancën e radhës, për të cilën tha se mund të mbahet edhe nëse nuk mund të sillen të gjithë të akuzuarit në gjykatë.

Policia e Kosovës është në kërkim të zyrtarëve dhe aktivistëve të tjerë, të akuzuar për dëmtimin e makinave të EULEX-it në vitin 2009, kur kjo lëvizje po kundërshtonte praninë e EULEX-it në Kosovë dhe nënshkrimin e një protokolli për bashkëpunim me Policinë e Serbisë.

Këto arrestime, partitë opozitare – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, – i kanë cilësuar si përpjekje të qeverisë për të frikësuar qytetarët një ditë para protestës.

Top Channel