Valë arrestimesh në Kosovë, në pranga edhe 6 aktivistë të VV-së

16/02/2016 00:00

Pas arrestimit të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, dhe zyrtarit për informim të këtij subjekti, Frashër Krasniqi, të martën ka vijuar aksioni i policisë për arrestimin e aktivistëve të tjerë, të cilët kërkohen për sulmet ndaj makinave të Euleksit në vitin 2009, në shenjë proteste kundër pranisë së misionit në Kosovë.

Zyrtari për informim në Vetëvendosje, Adonis Tahiri, ka konfirmuar për Top Channel se janë arrestuar edhe aktivistët Skënder Merturi, Fatmir Kurtaj, Kasim Uka, Pajtim Demaj, Kushtrim Zeqiri dhe Kujtim Kosumi.
 
Lidhur me arresimet, Policia e Kosovës nuk ka dhënë sqarime, përveç arsyetimit se po zbatohen urdhrat e gjykatës.
 
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë thirrur gjashtë seanca gjyqsore , por 31 të akuzuarit nuk i janë përgjigjur thirrjeve të gjykatës, ndërsa është paraqitur ish-aktivisti i Vetëvendosjes, Rron Gjinovci.
 
Ndërsa, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e kontaktuar nga Top Channel tha se ende nuk është caktuar koha për mbajtje të seancës lidhur me rastin në fjalë.

Të tri subjektet opozitare, Vetëvendosje, Nisma dhe AAK i kanë komentuar arrestimet si përpjekje e qeverisë për të frikësuar qytetarët para protestës.

Top Channel