Haradinaj: Zgjedhjet janë zgjidhje. Vendimarrësit të arrijnë marrëveshje

01/02/2016 16:45

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të ishin zgjidhja e krizës aktuale, por opozita do të duhej të qartësonte qëndrimin e saj lidhur me programin zgjedhor dhe zgjedhjen e presidentit.

Vlerësimet u shprehën në një tryezë të organizuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me përfaqësues të shoqërisë civile.

“Zgjedhjet, kurdo që caktohen me një dialog, me një marrëveshje, me një bisedë, caktim të një afati që u përmend disa herë, janë zgjidhja për të dy palët, edhe për qeverinë. Sepse nuk e di si do të vazhdojnë më tutje, me cfarë legjitimiteti”, deklaroi Besa Luzha, aktiviste e shoqërisë civile.

“Ne nuk e dimë nëse duhet shkuar në këto zgjedhje, duke mos i zgjidhur paraprakisht dy kauza që i ka ngritur opozita, çështjen e Asociacionit dhe Demarkacionit. Ne nuk e dimë nëse këto dy kauza do të jenë kauza edhe të zgjedhjeve, të cilat po i kërkon opozita. Pra, dëshiroj të them se këto çështje duhet qartësuar paraprakisht”, u shpreh gazetari Imer Mushkolaj.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj vlerësoi  se zgjidhja do të ishte një marrëveshje politike nga ana e vendimmarrësve, duke shtuar se kjo krizë mund të shfrytëzohet që me marrëveshje politike, presidenti të zgjidhet nga qytetarët.

“Vonesa, mosmarrja me krizën e atyre që janë vendimmarrës sot, nuk është gjë e mirë. E dyta, po shihet se nuk ka mënyrë më të mirë për dalje nga kriza përveç se të arrihet një marrëveshje politike mes atyre që kanë vendimmarrje”, tha Haradinaj.

Tryeza të tilla për krizën politike kanë organizuar edhe subjekte të tjera politike dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Top Channel