Kosovë, pezullohet prokurori që kërkonte zbatimin e sheriatit

29/01/2016 00:00

Një prokuror kosovar është pezulluar nga puna, për shkak të një fjalimi të disa javëve më parë, ku bënte thirrje për zbatimin e së drejtës islame (sheriatit) në Kosovë. Pas hetimeve të zyrës së Prokurorit Disiplinor, ndaj prokurorit Basri Morina u mor masa e pezullimit për 6 muaj, pa të drejtë rroge, deri në përfundim të procedurës disiplinore.

Hetimet filluan pas informacioneve që kanë ardhur në zyrën e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, që bëjnë të ditur se prokurori Basri Morina ka marrë pjesë në një tubim me karakter fetar në datën 14 nëntor 2015, e që ishte organizuar nga një person, i cili dyshohet për veprën penale të terrorizmit, njofton Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Në komunikatë thuhet se, prokurorëve të shtetit nuk i lejohet pjesëmarrja në tubime të tilla. Komisioni Disiplinor ka vlerësuar se, mbetja e prokurorit Basri Morina në detyrë, si dhe vazhdimi i kryerjes së detyrave të tij të përditshme si prokuror, mund të ndikojnë negativisht në opinionin publik, duke dëmtuar imazhin dhe duke e zbehur besimin e qytetarëve në sistemin e hetuesisë në tërësi.

Top Channel