“Miku” i mirë, në ditë të vështirë…

25/01/2016 00:00

Për qentë çfarë nuk është thënë, madje është shkuar deri atje sa ta konsiderojnë këtë kafshë shtëpiake si “mikun” më të mirë të njeriut.

Në fakt kjo është provuar në disa raste, por në një video të publikuar së fundi në internet përforcohet edhe më tej idea se ky “mik” i mirë nuk e lë në baltë të zotin e tij.

Në video shfaqet një person i hipur mbi një motor të tipit “Scooter”, i cili ndoshta është duke u kthyer për në shtëpi, apo mbase duke shkuar diku. Moti nuk përbën problem në një “udhëtim” të tillë, por duke qenë se dita mund të ketë ofruar të papritura, personi në fjalë është dashur të dalë edhe me një çadër nga shtëpia, përveç se nën shoqërinë e qenit.

Ajo që të habit është se, kafsha shtëpiake i është “ngjitur” nga pas të zotit si të ishte një njeri, por duke qenë se motori nuk të ofron hapësira të mjaftueshme sa për t’u “kujdesur” edhe për çadrën, edhe për qenin, është pikërisht ky i fundit që i vjen në ndihmë të zotit: pikërisht duke e mbajtur atë në gojë, sepse me këmbët e përparme të tij do t’i duhej të siguronte mbështetjen e nevojshme për të mos u rrëzuar nga motori.

Shikojeni videon dhe do të mbeteni të mahnitur…

Top Channel