Beteja me terrorizmin, Hyseni: Lavdrim Muhaxherin nuk do ta arrestojmë para kamerave

24/12/2015 00:00

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, në konferencën e fundvitit ka thënë se, së bashku me Policinë e Kosovës ka bërë bilancin e sfidave të sigurisë përgjatë një viti, me theks te protestat dhe luftën kundër radikalizmit islamik.

Ministri Hyseni e ka cilësuar si arritje, menaxhimin e këtyre situatave, ndërsa i pyetur se përse arrestimet e të dyshuarve për terrorizëm janë bërë me aq bujë, ai ka përmendur vlerësimet e Sekretarit Kerry kur vizitoi Kosovën.

“Po filloj me Lavdrim Muhaxherin… Të jeni të sigurtë se nuk do të ftojmë kamerat për të arrestuar Lavdrim Muhaxherin. Ai nuk është arrestim, që mund të bëhet para kamerave. Terrorizmi, dënimet dhe çdo gjë çfarë ka bërë Kosova, kam frikë se askujt tjetër në botë nuk i është dukur spektakolare. John Kerry e ka thënë në Prishtinë se, Kosova ka vendosur standarde tepër të larta në luftën kundër terrorizmit”, tha Skënder Hyseni, ministër i Punëve të Brendshme.

Ministri Hyseni ka përmendur edhe protestat e organizuara nga opozita muajt e fundit. Ai nuk u deklarua se, përse është vendosur të përdoren forcat elitare të Policisë së Kosovës gjatë arrestimit të Albin Kurtit, me arsyetimin se nuk do të ngatërrohet në vlerësimin profesional të policisë.

Ndaj kërkoi që, lidhur me këtë, të përgjigjet drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

“Ne, edhe për ngjarjen konkrete kemi bërë të ditur për opinionin, arsyen pse na është dashur të angazhojmë një pjesë të kapaciteteve me qajse speciale, në kuadër të realizimit të atij objektivi. Pikërisht për të konkluduar ai veprim me dëme sa më të pakta, të vogla dhe në mënyrën sa më profesionale. Ne jemi të hapur dhe transparentë, që t’i nënshtrohemi çfarëdo rishikimi, hetimi dhe kurdoherë që pretendohet se zyrtarët policorë kanë bërë shkelje”, tha Shpend Maxhuni, drejtor i Përgjithshëm i Policisë.

Ministri Hyseni tha se, përkundër deklaratave nga institucionet më të njohura të të drejtave të njeriut, si “Amnesty International”, se duhet bërë hetim për forcën e përdorur nga ana e policisë kundrejt protestuesve, ka qenë një menaxhim i shkëlqyer nga ana e Policisë së Kosovës në këto protesta, të cilat sipas tij kanë prishur imazhin e Kosovës.

Ndërsa si sukses gjatë këtij viti, sipas ministrit Hyseni, ishte bashkëpunimi në rrafshin ndërkombëtar me Interpolin, duke përmendur me këtë rast aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

Top Channel