Manifestimi i “28 Nëntorit”, opozita fton qytetarët. “Policia të na ndihmojë”

27/11/2015 00:00

Përfaqësuesit e subjekteve opozitare në Kosovë, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, Pal Lekaj nga AAK dhe Bilal Sherifi nga Nisma për Kosovën, kanë mbajtur këtë të premte një konferencë për mediat, nga ku u bënë thirrje qytetarëve të bashkohen në manifestimin e së shtunës, për të kundërshtuar marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se, pjesëmarrja e 3 deputetëve të Vetëvendosjes në këtë manifestim, ndaj të cilëve është lëshuar fletarrest për veprimet e tyre në Kuvend, do të mbetet mister.

“Nuk jap informacione nëse Kurti, Haxhiu e Topalli do të marrin pjesë në protestë, por do ta lëmë mister nëse do të jenë pjesë ose jo”, ka thënë Konjufca.

Opozita i ka bërë thirrje policisë, që të ndihmojë në mbarëvajtjen e manifestimit për 28 Nëntor, duke i lutur ata që të mos e pengojnë atë, duke qenë se do të jetë paqësor.

Subjektet opozitare kanë organizuar transportin me autobusë, nga të gjitha komunat, për në sheshin “Zahir Pajaziti”. Manifestimi fillon në orën 14:00 me intonimin e himnit kombëtar, vazhdon me fjalime politike, si dhe mbaron me një program artistik.

Top Channel