Kosovë, artistët të pakënaqur me projektligjin për kinematografinë

09/11/2015 16:25

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport ka shqyrtuar disa nga kapitujt dhe nenet e projektligjit për kinematografinë, së bashku me përfaqësues të artit dhe kulturës, të cilët patën disa vërejtje sa i përket kapitullit të VI-të dhe nenit 28.

Në këtë kapitull thuhet se “në rast se drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, dështon për dy herë radhazi të zgjedhë anëtarët e jurisë vlerësuese për konkursin për projekte filmike, këtë detyrë ta kryejë organi tjetër i QKK-së e që është Këshilli Drejtues”.

“Duke u nisë nga problemet që janë shfaq dy-tri herë gjatë miratimit të projekteve sepse shpeshherë drejtori i QKK-së, për shkak të interesave të ngushta qoftë personale, qoftë klanore ka insistuar në një grup të jurisë, është bllokuar procesi. Ne duhet të parashohim mundësinë e zhbllokimit të procesit. Amendamenti konsiston kështu: Nëse për dy herë radhazi refuzohet lista e kandidatëve për jurinë vlerësuese të cilën e propozon drejtori i QKK-së, herën e tretë jurinë vlerësuese e zgjedh Këshilli Drejtuese nga lista jo më pak se 10 kandidatë”, u shpreh Agim Sopi, regjisor.

Po ashtu, artistët patën vërejtje edhe lidhur me kohëzgjatjen e afatit për aplikim që është prej 60 ditësh, dhe sipas tyre kjo është periudhë shumë e gjatë. Sqarime lidhur me këtë çështje kërkoi edhe anëtari i komisionit Bekim Haxhiu nga radhët e PDK-së.

Mirëpo lidhur me këtë nuk u pajtua drejtori i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Feim Hoxha.

“Këtu unë e kisha vendos 60 ditë, duke marrë parasysh që ky projektligj ka marrë miratimin edhe të shumë personave të tjerë të ministrisë dhe tash ta bëjmë këtë dallim të madh nuk më duket e arsyeshme nga një pjesëmarrje kaq e vogël. Për neve si ministri ka kaluar kështu dhe unë qëndroj prapa saj”, u shpreh Hoxha.

Pro zvogëlimit ishte kryetari i komisioni parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, Nait Hasani, sipas së cilit me shkurtimin e afatit kohor, shkurtohen edhe procedurat.

Top Channel