Bayern-Guardiola, bisedime për rinovimin e kontratës

20/10/2015 00:00

Pep Guardiola dhe Bayern Munchen kanë të ngjarë të rinovojnë kontratën mes tyre, e cila skadon në vitin 2016. Është vetë trajneri katalanas, që e ka pranuar këtë në një konferencë për shtyp, por shtoi se nuk ka ndërmend të qëndrojë në Gjermani për një kohë shumë të gjatë.

“Jam takuar me drejtuesit e Bayernit, me të cilët nuk kam folur për futbollin e luajtur – tha Guardiola. – Ata janë në dijeni të gjithçkaje. Por dua të theksoj se, nuk do të qëndroj këtu për 20 vite. Është diçka e pamundur, pasi njerëzit mërziten të shohin të njëjtin trajner për një kohë kaq të gjatë”.

Ndërsa te drejtuesit e kampionëve të Gjermanisë, optimizmi për rinovimin me Guardiolën është i madh dhe këtë e shpreh edhe vetë Karl Heinz Rummenigge.

“Guardiola do të ketë shumë oferta, por ne jemi optimistë – tha Rummenigge. – Takimi për zgjatjen e kontratës së tij do të bëhet brenda këtij viti. Duhet të mbyllim sezonin aktual fillimisht, por unë besoj se trajneri ynë, më 1 korrik të 2016-s do të quhet po Pep Guardiola. Nuk besoj se financat do të kenë një rëndësi të veçantë në këtë pikë”.

Top Channel