Në janar, Aleksis Tsipras doli triumfues nga zgjedhjet parlamentare greke. Asokohe ishte i qarte besimi i shumicës dërrmuese të njerëzve se lideri i Syrizës do ta lehtësonte peshën e mundimshme të reformave radikale ekonomike, që për pesë vjet kishin lënë shenjën e tyre në një shoqëri të mësuar me një jetesë më të mirë.

Premtimi i Tsipras ishte ndjellës për të gjithë: me qeverinë e re, masave mbytëse antikrizë do t’i vinte fundi. Por nuk ndodhi ashtu.

Pas muajsh të tërë negocjata, lideri më i ri politik në historinë e Greqisë së ditëve tona u detyrua të shkelte zotimet e të pranonte kushtet e donatorëve ndërkombëtarë për një paketë të tretë ndihme.

Vetëm në këtë mënyrë do të shmangej falimentimi i vendit dhe dalja e detyruar nga Eurozona. Tani, Tsipras u votua sërish, dhe shumica e grekëve shpërblyen kthesën e thellë të tij nga idealizmi i pastër në realizëm pragmatik.

Ata madje besojnë se ai do të arrijë të minimizojë për shoqërinë e lodhur greke pasojat e reformave të mëtejshme, që lipset të implementohen urgjentisht.

Rebelët e ekstremit të majtë brenda Syrizës, me zgjedhjet e fundit Tsipras arriti t’i hiqte nga rruga. Grupi në fjalë nuk siguroi dot as tre përqindëshin e nevojshem për të hyrë në Parlament.

E megjithatë, dyshimet nëse Tsipras dhe partia e tij do ta çojnë përpara Greqinë drejt kapërcimit të krizës dhe modernizimit janë të mëdha.

5 qeveri kahesh të ndryshme politike ka parë Athina të vijnë e të shkojnë në këto 5 vitet e fundit; dhe asnjëra nuk arriti të prodhonte ndonjë ndryshim rrënjësor.

Kërkesat e donatorëve mbeten të njëjtat: një sektor publik funksional, një ekonomi konkurruese, luftë kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal.

Partitë tradicionale nuk i kanë përmbushur dot të tilla pretendime e as Syriza vetë nuk shënoi ndonjë progres të qenësishem përgjatë 7 muajve të saj të parë në qeveri, ndaj nuk janë të vogla gjasat që edhe ekzekutivi “Tsipras 2” të mos sjellë ndonjë ndryshim të madh.

Top Channel