“Shampanjë në akull”, intervista e De Biasi-t në revistën javore të FIFA-s

11/09/2015 20:10

Paraqitjet e Kombëtares shqiptare nuk kanë lënë indiferente as mediat e huaja apo revistën  javore të FIFA-s, “Weekly”, gazetarët e të cilës i kanë lënë një hapësirë të konsiderueshme kuqezinjve.

Në artikullin kryesor të titulluar “Shampanjë në akull”, gazetarja Sarah Shteiner thekson se pavarësisht humbjes me Portugalinë, Shqipëria ka shanse të forta kualifikimi për në Francë 2016. Megjithatë, ajo shton se kuqezinjtë kanë ende një motiv për të festuar, pasi sido që të shkojnë gjërat ata kanë të siguruar të paktën pjesëmarrjen në “play off”.

Më pas, në revistën javore të FIFA-s është publikuar dhe një intervistë e trajnerit Gianni De Biasi, i cili thekson se gjëja më e vështirë gjatë punës së tij me përfaqësuesen shqiptare ishte ajo që duhet të ndryshonte mentalitetin  e njerëzve.

“Nga eksperienca ime kam vënë re se futbollistët shqiptarë kanë tendencën të kënaqen me nivelin e arritur. Askush nuk është mësuar të shohë përpara dhe të vendosur objektiva më madhorë. Ajo që është më e rëndësishmja për ne është që të punojmë vazhdimisht”, shprehet De Biasi.

Tekniku deklaroi se pavarësisht problemeve që ka hasur në infrastrukturë, skuadra Kombëtare po ecën mire, kjo dhe falë punës mjaft të mirë të bërë nga Federata Shqiptare.

Për sa u përket eliminatoreve dhe shanseve që ka Kombëtarja për të shkuar në Francë, De Biasi pohoi se sigurimi i “play off”-it është një arritje shumë e madhe për Shqipërinë, pasi askush nuk e imagjinonte një gjë të tillë në fillim të këtyre kualifikueseve.

Në fokusin e gazetarëve të revistës javore të FIFA-s ishte edhe çështja e Kosovës dhe ndikimi që mund të kishte ajo në rast se federata e saj do të pranohej me të drejta të plota në FIFA. Për këtë çështje, italiani 59-vjeçar theksoi se asgjë nuk ka ndryshuar dhe se FFK nuk do të kërkojë të marrë futbollistët që tashmë luajnë me fanellën e Shqipërisë.

Top Channel