Greqi, shtyhen bisedimet për ndihmën e tretë, shkak çështjet e sigurisë

24/07/2015 00:00

Bisedimet në përpjekje e sipër për të hartuar një marrëveshje të re ndihme për Greqinë dështuan të fillonin këtë të premte, siç ishte parashikuar, ndërsa zyrtarët kanë fajësuar shqetësimet për sigurinë si shkak i shtyrjes së negociatave me huadhënësit ndërkombëtare, të cilat kundërshtohen ashpër nga shumë grekë.

Zyrtarë të qeverisë së Athinës kishin thënë gjatë kësaj jave se bisedimet mbi programin e tretë të shpëtimit, prej rreth 86 miliardë eurosh do të nisnin në Athinë këtë të premte. Por, përfaqësues të institucioneve huadhënëse të Greqisë – Komisionit Europian, Bankës Qendrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar – thanë se bisedimet nuk mund të fillojnë deri kur të gjendet vendi i duhur për t’u ulur në tryezë, për shkak të ndjeshmërisë dhe irritimit në shkallë të gjerë të publikut në lidhje me politikat shtrënguese të vendosura nga dy programet e mëparshme.

“Ka ende disa probleme logjistike për t’u zgjidhur, veçanërisht ato që lidhen me sigurinë”, tha thënë një zyrtar i Komisionit Europian. “Kemi disa mundësi zgjedhjeje mbi tryezë”, u shpreh më tej ai, pa dhënë detaje të tjera.

Parlamenti grek ka miratuar tashmë dy paketa masash reformuese, një kusht paraprak për nisjen e negociatave formale për të përcaktuar detajet e ndihmës së re që do t’i jepet Greqisë. Gjithsesi, një tjetër burim i informuar mbi bisedimet tha se Greqisë i është kërkuar të bëjë më shumë në aspektin e reformave, përpara se zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë të mbërrijnë në Athinë.

Qeveria e kryeministrit të majtë, Alexis Tsipras, mbajti peng për 5 muaj bisedimet therëse me huadhënësit, përpara sesa ata të ofronin sërish mundësinë e nisjes së bisedimeve për një ndihmë të re dhe kjo, vetëm pasi qeveria humbi afatin përfundimtar për ripagimin e këstit borxh ndaj FMN-së dhe mbylli bankat për rreth 3 javë.

Tsipras pranoi kushtet e huadhënësve, edhe pse votuesit grekë kishin refuzuar një ofertë të mëparshme përmes një referendumi. Athina shpreson që këtë herë negociatat të jenë të shpejta dhe të përfundojnë brenda 12 gushtit, në mënyrë që marrëveshja të marrë miratimin në Parlament përpara se të skadojë afati për ripagimin e këstit borxh ndaj BQE-së më 20 gusht.

Për momentin po zhvillohen vetëm bisedime teknike për të zgjidhur problemet logjistike. Një zyrtar i qeverisë tha se, shpresonte që negociatat me shefat e misioneve të institucioneve huadhënëse të mund të nisin të shtunën.

Një zëdhënëse e Komisionit Europian, nga ana e saj, tha se negociatorët e institucioneve kryesore, përfshi këtu edhe nga fondi i shpëtimit të Mekanizmit për Stabilitetin Europian, priten të vizitojnë Athinën “në ditët e ardhshme”.

Top Channel