Komiteti për Torturë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, siç raportojnë mediet maqedonase, ka kërkuar nga Maqedonia hetime të reja për 4 rastet e Hagës dhe 6 civilët shqiptarë të zhdukur gjatë konfliktit të vitit 2001.

Ky komitet i rikujton Shkupit zyrtar se, sipas së drejtës ndërkombëtare, rastet e krimeve dhe torturës kundër popullatës civile nuk vjetërohen dhe nuk mund të jenë subjekt i amnistisë.

Në raportin e Komitetit për Torturë pranë OKB-së, që është përgatitur prej mesit të muajit maj, thuhet se nuk guxohet të mbeten pa dënime personat, që akuzohen për shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë konfliktit në Maqedoni.

Prokuroria publike nuk është prononcuar ende lidhur me këtë kërkesë të OKB-së, madje as nuk është përgjigjur ndaj pyetjes së medieve maqedonase lidhur me këtë raport. Komiteti për Torturë, jo vetëm që ka kërkuar hapjen e këtyre rasteve nga ana e Prokurorisë, por kërkon edhe aktvendime dhe dëmshpërblime, si dhe masa të tjera mbrojtëse për viktimat.

Kuvendi i Maqedonisë, më 19 korrik të vitit 2011 miratoi “Interpretimin autentik të ligjit për amnisti”, me të cilin u mbyllën 4 rastet e Hagës. Dy muaj pasi u miratua ky interpretim, gjykata ndërpreu procesimin e këtyre rasteve.

Top Channel