Froome: Kundërshtari im kryesor është Van Garderen

13/07/2015 00:00

Chris Froome, mbajtësi i fanelës së verdhë të Turit të Francës, ka thënë se rivali i tij për fitoren finale është amerikani Tejay van Garderen.

“Kundërshtari im është Tejay, i cili është 12 sekonda pas meje. Ai është ndjekësi më i afërt në renditjen e përgjithshme dhe atë duhet të ruaj”, tha çiklisti britanik i ekipit Sky.

Fituesi i Turit të Francës së vitit 2013 është i kënaqur me javën e parë të Turit të këtij viti: “Nëse do më thonin që do e merrja fanelën e verdhë kaq shpejt, nuk do e besoja. Jam paraqitur shumë mirë deri në këtë pikë”.

Froome tha se pret sulme të kundërshtarëve në etapat malore, pas ditës së sotme të pushimit.

“Nuk do të sulmoj unë, por janë të tjerët ata që do të përpiqen të më marrin fanelën e verdhë. Gjithsesi, kemi një skuadër të shkëlqyer dhe do të mbrohemi”, tha Froome.

Top Channel