Greqia ka kohë deri në fund të ditës së enjte për të paraqitur propozime të reja për të siguruar këstin e tretë të ndihmave nga kreditorët dhe të parandalojë një dalje të mundshme nga Eurozona.

Kryeministri Alexis Tsipras deklaroi se, orët e ardhshme do të jenë vendimtare. Ai u kthye të mërkurën mbrëma nga Brukseli, ku mbajti dhe një fjalim në Parlamentin Evropian dhe menjëherë zhvilloi bisedime me përfaqësuesit e partive të tjera politike.

“Këto janë kohë të rëndësishme dhe është e nevojshme t’u ofrojmë informacionin e duhur partive politike, në mënyrë që të mos ketë keqkuptime”, deklaroi Tsipras.

“Mendoj se po ecim përpara me planin e asaj për të cilën ramë dakord dhe orët e ardhshme do të jenë vendimtare”, shtoi ai.

Propozimet e reja do të studiohen nga ministrat e Financave të Eurozonës ditën e shtunë dhe një qëndrim zyrtar do të dalë të dielën nga samiti i BE-së.

Qeveria greke ka zgjatur ndërkohë mbylljen e bankave dhe ka çuar në 60 euro kufirin ditor të tërheqjes së parave nga bankomatet deri të hënën.

Kufizimet u vendosën më 28 qershor, pas një ngërçi të verifikuar në bisedimet me kreditorët, që çoi në një vërshim të qytetarëve grekë tek bankomatet.

Louka Kasteli, drejtor i Shoqatës së Bankave Greke, deklaroi të enjten se në bankomate ka para të mjaftueshme për qytetarët deri të hënën.

Top Channel