Toure, agjenti ngrin Interin: Qëndron te City

26/05/2015 00:00

Ëndrrat e Mancinit me Yaya Touren në skuadrën e Interit kanë marrë fund. Pas shumë tratativave të zikaltërve, kapiteni i Bregut të Fildishtë ka vendosur të qëndrojë në Manchester duke hedhur poshtë zërat për një tranferim në Itali.

“Yaya do të qëndrojë te City për disa arsye. E para, sepse presidenti i skuadrës tha se Toure është i pazëvendësueshëm dhe zemra e Cityt. E dyta, ai ka kuptuar se është akoma shumë i rëndësishëm për tifozët, pasi në ditëlindjen e tij treguan admirimin që kanë për të”,- është shprehur Dimitri Seluk, agjenti i lojtarit.

Ai ka thënë se Toure nuk ka kërkuar një kontratë të re apo rritje page, pasi është i kënaqur me situatën aktuale. “Kontrata skadon më 2017 dhe gjithë kjo zhurmë nuk është bërë për të përfituar rritje page apo kontratë të re”,- ka deklaruar ukrainasi.

Dimitri Seluk ka falenderuar presidentin e Interit, Erick Thohir dhe trajnerin Mancini që kanë bërë gjithçka për ta transferuar Touren në Itali. Ai ka thënë se oferta e zikaltërve ka bërë që Yaya të ndihet i vlerësuar.

“Dua të falenderoj Thohirin dhe Mancinin sepse bënë gjithçka që kishin në dorë për të transferuar Yayan, oferta e tyre ka bërë që lojtari të ndihet shumë i vlerësuar, por kjo gjë ka marrë fund, sepse Yaya do të qëndrojë te City”,-ka përfunduar Seluk.

Top Channel