Klopp: Mund ta mposhtim Bajernin, kanë mungesa

03/04/2015 00:00

Pavarësisht paraqitjes së dobët këtë sezon në Bundesligë dhe eliminimit nga Champions League, Dortmundi mbetet një ndër kundërshtarët më të vështirë për Bajernin në Kampionat.

Java e 27-të e Bundesligës gjermane, e cila do të luhet këtë fundjave, rezervon këtë super ndeshje Dortmund-Bajern.

Trajneri i verdhezinjve, Jurgen Klopp, pranon se ekipi i tij nuk është në të njëjtat nivele me periudhën kur ata fituan dy tituj radhazi 2010-1012, por ai beson se mund t’i mposht sërish kampionët e Gjermanisë.

“Ne nuk jemi në të njëjtin nivel me Bajernin për momentin, por me siguri që kemi shanse për të fituar edhe pse situata tani është shumë ndryshe nga vitet e fundit. Megjithatë edhe Bajerni mund ta ndiejë mungesën e futbollistëve si Robben, Alaba e Ribery edhe pse ata kanë një sulm shumë të mirë me Myller, Gotze dhe Lewandwoski. Pa Ribery e Robben ata nuk do të kenë lojtarët më të shpejtë, kështu që do t’ju duhet të ndryshojnë. Ne na duhet ta marrim në konsideratë se si do të reagojnë dhe pastaj do të kemi shanset tona”, shprehet Klopp.

Dortmundi vjen në këtë përballje pas eliminimit nga Champions-i dhe me një diferencë prej 31 pikësh nga Bajerni kryesues.

Top Channel