Sepp Blatter irritohet me UEFA-n: Komplot për të më rrëzuar

05/02/2015 00:00

Tashmë është zyrtare, udhëheqësi kontrovers i futbollit botëror, Sepp Blatter, ka vendosur të hyjë në “varrin e armikut”, vetëm pak javë pasi akuzoi UEFA-n për organizimin e një komploti për rrëzimin e tij.

Presidenti i FIFA-s është i përgatitur edhe për rrezikun e ndonjë poshtërimi publik në Vjenë, muajin e ardhshëm, kur ai të përballet me tre rivalët kandidatë për ta rrëzuar atë nga “pushteti”, duke qenë se trupa qeverisëse e futbollit europian, UEFA, ka marrë në konsideratë ofrimin e mundësisë ndaj çdo kandidati për të paraqitur kandidaturat e tyre në kongresin e 24 marsit.

FIFA konfirmoi për CNN se Blatter ka planifikuar të jetë në Austri për kongresin, gjatë të cilit do të përshkallëzojë edhe fushatën e tij për të mbajtur sërish presidencën. Në pritje të votave të 209 Federatave anëtare, kandidatët do të kenë mundësi të influencojnë mbi çerekun e tyre, kur ata të flasin përpara UEFA-s me 54 kombe anëtare, në një event që do të transmetohet edhe online.

Në kërkim të një mandati të pestë radhazi, në moshën 79-vjeçare, Blatter përballet me sfidat e lëshuara nga Princi Ali bin Al-Hussein i Jordanisë, holandezi Michael van Praag dhe ish-lojtari i Realit e Barcelonës, Luis Figo.

Të tre kundërshtarët e Blatterit kanë deklaruar dëshirën e tyre për të marrë pjesë në një debat të drejtpërdrejtë me zvicerianin, i cili ka refuzuar në të kaluarën oferta të tilla, duke u shprehur se futbolli “nuk duhet të imitojë politikën”. Me këtë, ai u referohet debateve politike, në shembujt më demokratikë në SHBA dhe Britani, ku politikanët dalin përpara kamerave dhe ballafaqohen me njëri-tjetrin përpara zgjedhjeve.

E ndërsa Princi Ali ka bërë thirrje për debat të hapur, kurse Van Praag sugjeroi edhe një ‘hangout’ në Google, UEFA po ekzaminon mundësinë e dhënies ndaj secilit kandidat të një sasie kohore për të publikuar planet e tyre në lidhje me përmirësimin e imazhit të përkeqësuar të FIFA-s.

Duke folur në nisjen e fushatës së tij në Londër, të enjten, Princi Ali i hodhi dorashkën Blatterit, duke sugjeruar për një debat publik mes kandidatëve. “Nëse duam të flasim për transparencë, do të doja të shihja – të paktën përpara zgjedhjeve – një debat publik, përfshi edhe presidentin në detyrë”, tha Ali. “Nëse flasim për reforma, pikërisht për reforma, nuk di ta kem parë deri tani diçka të tillë. Ai ka mundësinë ta bëjë diçka të tillë”, shtoi Princi i Jordanisë, duke iu drejtuar Blatterit. “Kemi pasur premtime prej tij, që nuk do të garonte më. Ai ka qenë president i FIFA-s dhe, pa asnjë dyshim, presidenti duhet të mbajë përgjegjësi për gjithçka ndodh”.

Top Channel