La Liga, Madridi zbret Barçën në vendin e tretë

02/11/2014 00:00

Real Madridi mposhti Granadan gjatë së shtunës, me një “poker” ku ra në sy dygolëshi i James Rodriguez, por ku nuk munguan golat e të përhershmit Ronaldo dhe të francezit Benzema, dhe është ngjitur përkohësisht në krye të renditjes, me 2 pikë më shumë se Barcelona, teksa katalanasit janë befasuar nga Celta Vigo, ish-ekipi i drejtuar nga Luis Enrique sezonin e kaluar, që triumfoi 1-0 në “Camp Nou”.

Edhe Atletico ka fituar në “Vicente Calderon”, në një sfidë me gola dhe që u mbyll me rezultatin 4-2; për “Colchoneros”-it e Simeones shënuan Mandzukic, “dopietë” e Griezmann dhe Raul Garcia; duke u ngjitur në vendin e dytë të renditjes, e duke lënë pas Barcelonën, e cila pëson kështu humbjen e dytë radhazi, pas asaj në “El Clasico”.

Megjithatë, do të duhet të zhvillohet edhe sfida e së dielës me Athletic Bilbaos dhe Sevillas, për të mësuar nëse Reali do të mbajë kreun i vetëm, apo atë do ta marrë ekipi i Sevillas, një skuadër që ka pasur një nisje shumë të mirë të këtij sezoni në kampionatin spanjoll, ashtu sikurse dhe Valencia.

Top Channel